Muajin e kaluar, UEFA i kishte dhënë FIFA-s afat deri më 2 nëntor për të publikuar detajet e këtij propozimi kontrovers dhe për t’iu përgjigjur më shumë se 100 pyetjeve që lidhen me qeverisjen dhe procesin e vendimmarrjes në organizatë.
Kjo kërkesë erdhi pas një mbledhjeje të Këshillit të FIFA-s, në të cilën presidenti Gianni Infantino kërkoi falje, por nuk dha shpjegime lidhur me mënyrën se si ishte hartuar propozimi. Ai kërkoi që pyetjet të dorëzoheshin me shkrim.
Vetëm pak orë para përfundimit të afatit të caktuar nga UEFA, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, u dërgoi një njoftim anëtarëve të Këshillit, duke bërë të ditur se ata do të kenë mundësi t’i shqyrtojnë dokumentet vetëm në kushte të veçanta dhe personalisht, në selinë e FIFA-s në Cyrih.
Sipas tij, kjo procedurë synon të ruajë detyrimet e konfidencialitetit. Anëtarëve të Këshillit u është kërkuar që brenda dy javëve të ardhshme të regjistrojnë interesimin e tyre për të pasur qasje në dokumente.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se cilat dokumente do të vihen në dispozicion.
BBC Sport raporton se FIFA e konsideron të parealizueshëm afatin dyjavor të UEFA-s për t’iu përgjigjur më shumë se 100 pyetjeve. Kjo për shkak të angazhimeve të fundit të organizatës në përgatitjen e një Kupe të re të Botës për të rinj në Azerbajxhan, si dhe organizimit të një Kongresi të jashtëzakonshëm më vonë gjatë këtij muaji.
Nga ana tjetër, UEFA nuk ka përcaktuar se çfarë hapash do të ndërmarrë nëse FIFA nuk i përmbush kërkesat brenda afatit. Megjithatë, synimi i saj është të shtojë presionin ndaj Infantinos përpara 18 nëntorit, datë kur përfundon afati për kandidatët që dëshirojnë të konfirmojnë kandidaturën e tyre kundër tij në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s vitin e ardhshëm.
Foto: Foto: Associated Press
D.L
