UBT News

FIFA dënon Spanjën për thirrjet diskriminuese të tifozëve ndaj myslimanëve

Përfaqësuesja e Spanjës është dënuar nga FIFA me mbyllje të pjesshme të stadiumit në ndeshjen e ardhshme miqësore, pas thirrjeve diskriminuese të tifozëve ndaj myslimanëve gjatë përballjes me Egjiptin.

Incidenti ndodhi më 31 mars, në stadiumin “RCDE” të Espanyolit në Barcelonë, ku një grup tifozësh spanjollë u dëgjuan duke bërë thirrje islamofobike në minutën e dhjetë të pjesës së parë, të cilat u përsëritën edhe gjatë pjesës së dytë.

Gjatë ndeshjes, në ekranin e madh të stadiumit u shfaq një mesazh paralajmërues, përmes të cilit tifozëve iu kërkua të ndalonin thirrjet diskriminuese.

Pas incidentit, FIFA nisi procedurë disiplinore për sjellje islamofobike dhe ksenofobike, ndërsa vendimi për dënimin u zyrtarizua të premten.

Sipas vendimit, Spanja do të duhet të mbyllë 15 për qind të kapacitetit të stadiumit për tifozët në miqësoren e ardhshme. Megjithatë, këto vende mund të shfrytëzohen nga familjarë, studentë dhe përfaqësues të organizatave që luftojnë diskriminimin.

Përveç këtij dënimi, Federata Spanjolle e Futbollit është gjobitur me rreth 20 mijë euro.

Përballja miqësore ndërmjet Spanjës dhe Egjiptit kishte përfunduar pa gola, 0:0.

D.L

Exit mobile version