Është hedhur shorti për FIBA Kampionati Evropian të Femrave për Shtetet e Vogla dhe grup moshat e reja, ku Kosova ka mësuar kundërshtarët e saj.
Dardanet do të jenë në Grupin B, së bashku me Andorrën dhe Armeninë. Ndërkohë, në Grupin A janë Malta, Gjeorgjia dhe Shqipëria.
Kjo do të jetë hera e dytë që FIBA Kampionati Evropian i Femrave për Shtetet e Vogla organizohet në Kosovë, pasi më 2024 ishte organizuar në Prishtinë.
Gjatë kësaj vere, Kosova do të organizojë edhe FIBA U18 Eurobasketi i Femrave, Divizioni C, kampionat që po ashtu do të organizohet në Pejë nga 21 deri më 26 korrik, ku marrin pjesë shtatë shtete.
Kosova është në Grupin B, së bashku me Armeninë, Gjeorgjinë dhe Gjibraltarin, kurse në Grupin A janë: Malta, Shqipëria dhe Qipro.
Kjo verë do të jetë shumë e ngjeshur me aktivitete, pasi në përgjithësi, Kosova do të garojë me pesë Përfaqësuese në arenën evropiane, U20 meshkujt, U18 meshkujt dhe femrat dhe U16 meshkujt dhe femrat.
Kosova U16 femrat do të jenë në Grupin A, së bashku me Maltën dhe Gjeorgjinë, në Divizionin C, që mbahet në Maltë nga 7 deri më 12 korrik.
Kosova U16 meshkujt do të jenë në Grupi A, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria, San Marino dhe Moldavia. Divizioni C do të mbahet në Armeni nga 4 deri më 12 korrik.
Kosova U18 meshkujt janë në Grupi A, ku do të garojnë edhe Armenia, Andorra dhe Gjibraltari. Gara e Divizionit C do të mbahet në Shkodër nga 21 deri më 26 korrik.
Kosova U20 meshkujt do të garojë në Divizionin B, ku edicionin e kaluar kishte hyrë në Top 8, njëherë suksesi më i madh te gjeneratat e reja. Dardanët e rinj janë në Grupin C, ku marrin pjesë edhe Islanda, Portugalia, Armenia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Qipro. Ky kampionat mbahet nga 10 deri më 19 korrik në Sllovaki. /Kosova Press/
Foto: KosovaPress
