Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka marrë konfirmimin zyrtar nga UEFA për pranim në Konventën e Trajnerëve në nivelin shtesë të diplomës Fitness B, pas përfundimit me sukses të kursit të parë për UEFA Fitness nga Departamenti i Edukimit në FFK.
Në shkresën e UEFA-s, e nënshkruar nga Shefi i Zhvillimit të Trajnerëve në UEFA, Kris Van Der Haegen, konfirmohet se raporti pozitiv i vlerësimit për kursin inaugurues për Fitness është shqyrtuar dhe miratuar nga paneli përkatës, duke i hapur rrugë FFK-së për anëtarësim në këtë nivel të ri të Konventës.
Me këtë vendim, FFK tashmë ka të drejtë të organizojë dhe të lëshojë diploma dhe licenca UEFA Fitness B për kandidatët që përmbushin kriteret dhe përfundojnë me sukses programin përkatës, në përputhje me standardet dhe rregulloret e UEFA-s.
Ky hap përfaqëson një avancim të rëndësishëm në edukimin e trajnerëve në Kosovë dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e përgatitjes fizike.
Departamenti i Edukimit në FFK do të vazhdojë të ofrojë programe cilësore dhe të harmonizuara plotësisht me standardet evropiane, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit në vend.
Pranimi në nivelin UEFA Fitness B dëshmon punën serioze dhe të qëndrueshme të FFK-së në ndërtimin e një strukture moderne të edukimit të trajnerëve dhe profesionalizimin e sportit në Kosovë.
