Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm, Primozh Gliha.
FFK-ja ka falënderuar përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse.
Federata e Futbollit e Kosovës gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar.