Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një komunikate në faqen zyrtare ka reaguar për sjelljen nacionaliste e fashiste të tifo-grupit serb “Delije”, gjatë ndeshjes mes Crvena zvezdas dhe Young Boys.
Gjatë ndeshjes mbrëmë në Ligën e Kampionëve mes Crvena zvezdas dhe Young Boys, tifo-grupi serb “Delije” shfaqën mesazhe fashiste si “vrisni shqiptarët, që ata mos të ekzistojnë” dhe “Kosova është Serbi”, si dhe brohorisnin emrat e terroristëve serb të vrarë që incidentit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër sjelljen e tifozëve të KF Crvena Zvezda “Delije”, gjatë ndeshjes me Young Boys në UEFA Champions League.
Çdo sjellje e tillë nacionaliste e fashiste është joetike, jo e shëndetshme dhe shkel rregullat e UEFA-s”, shkruante në komunikatën e FFK-së.
FFK ka kërkuar nga UEFA reagim të menjëhershëm të Komitetit Disiplinor.