Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shprehur mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë ata që mbështesin pandërprerë Kombëtaren tonë, si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë. Përkrahja e jashtëzakonshme e qytetarëve, përfshirë edhe ata që udhëtuan drejt Sllovakisë, tregon lidhjen e fortë me fanellën dardane.
Duke qenë se interesi për ndeshjen finale Kosovë – Turqi tejkalon kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri”, FFK në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të organizojë aktivitetet publike me ekrane gjigante në kryeqytet, ku qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë përballje historike dhe të ndjejnë emocionin e mbështetjes ndaj Kombëtares.
Federata gjithashtu falënderon ata që siguruan biletat për ndeshjen, edhe para se të konfirmohej nëse do të bëhej finale apo miqësore, duke treguar dashurinë dhe besimin e madh ndaj ekipit dardan. Në të njëjtën kohë, FFK shpreh keqardhje për ata që nuk mund të jenë të pranishëm në stadium për shkak të kapacitetit të kufizuar dhe informon se nuk ka më asnjë biletë në dispozicion. Një pjesë e tyre janë rezervuar për tifozët mysafirë dhe partnerët, sipas rregulloreve të FIFA-s dhe UEFA-s.
FFK nxit qytetarët që mbështetjen për djemtë dardanë ta japin nga sheshet dhe nga shtëpitë e tyre, duke e bërë këtë ndeshje një festë të përbashkët të futbollit në çdo cep të vendit.
Forca Kosovë!
