Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka takuar kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Qëllimi i këtij takimi ishte dakordimi për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për përmirësimin e infrastrukturës sportive në këtë komunë, me fokus të veçantë në ndërtimin e një fushe stërvitore.
Gjatë takimit, presidenti Ademi theksoi rëndësinë e përkrahjes që FFK i ofron të gjitha komunave për zhvillimin e sportit, veçanërisht të futbollit. Ai vuri në dukje se Gjakova ka një rëndësi të veçantë për shkak të zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës sportive në këtë rajon, e veçmas stadiumit të qytetit, që po ndërtohet me ritëm të shpejtë dhe do t’i plotësojë standardet evropiane.
Nënshkrimi i këtij memorandumi është një hap tjetër përpara në procesin e rregullimit të fushës të re stërvitore, e cila do t’i shërbejë komunitetit të futbollit në këtë komunë dhe do të ndihmojë në krijimin e kushteve më të mira për klubet kësaj treve./UBTNews/