UBT News

FFK dënon disa klube dhe zyrtarë pas xhiros së 28-të të Superligës

Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë një sërë vendimesh disiplinore ndaj klubeve dhe individëve të përfshirë në ndeshjet e xhiros së 28-të të Albi Mall Superliga e Kosovës.

KF Llapi është dënuar me një ndeshje si vendas pa praninë e tifozëve, si dhe me gjobë prej 2000 eurosh, pas incidenteve në ndeshjen ndaj KF Drenica. Sipas raportit zyrtar, janë evidentuar ofendime nga tribuna, hedhje mjetesh në fushë dhe dëmtime të pronës së klubit mysafir.

Po ashtu, ndihmëstrajneri i KF Ferizaj, Luan Alija, është pezulluar për dy ndeshje për shkak të sjelljes ndaj gjyqtarëve në ndeshjen kundër FC Drita.

Nga KF Vëllaznimi, futbollistët Arbër Shala dhe Drilon Cenaj janë dënuar me nga dy ndeshje moslojë për kartonë të kuq dhe sjellje josportive në takimin ndaj FC Dinamo.

Ndërkohë, ndihmëstrajneri i FC Ballkani, Radostin Aleksandrov, është pezulluar për tri ndeshje në garat e Kupës dhe është gjobitur me 1000 euro, pas ofendimeve ndaj gjyqtarit në ndeshjen ndaj KF Dukagjini.

Po ashtu, futbollisti i Ferizajt, Argjend Mahmuti, është dënuar me dy ndeshje moslojë për reagim ndaj gjyqtarit në ndeshjen kundër Llapit.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afatin e paraparë, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e vendimeve.

Exit mobile version