UBT News

FFK del në mbrojtje të Vedat Muriqit pas kritikave ndaj kapitenit të Kombëtares

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është përballur me kritika të ashpra nga një tifozë, i cili e akuzoi se ka ndarë informacione dhe taktika të ekipit me Turqinë. Megjithatë, një valë mbështetjeje ka ardhur nga figura publike dhe politike, të cilët e kanë mbrojtur dhe falënderuar për përkushtimin e tij, duke theksuar: “Ne jemi me ty dhe ti e bere maksimumin.”

Së fundmi, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka dalë në mbrojtje Muriqit, duke theksuar rëndësinë e rolit të tij jo vetëm si lojtar, por edhe si simbol i kombit:

“Futbolli nuk është thjesht lojë. Ai është pasqyrë e identitetit, përkushtimit dhe vlerave që ne, si shoqëri, duam t’i promovojmë. Kur kapiteni i Kombëtares sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo prek jo vetëm një lojtar, por një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari.”

FFK vlerëson kontributin e Muriqit në fushë, jo vetëm për golat, por edhe për lidershipin, energjinë dhe shpirtin që sjell në çdo ndeshje:

“Ai është shembull i profesionalizmit, pasionit dhe unitetit që Kombëtarja e Kosovës përfaqëson. Golat e tij nuk janë thjesht pikë në tabelë, por emocione që frymëzojnë popullin shqiptar dhe krijojnë krenari për vendin tonë.”

Federata shton se ofendimet në rrjetet sociale nuk kanë vend në futboll dhe se si individë dhe si shoqëri duhet të reagojmë kur vihen në diskutim vlerat që përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Vedat Muriqi nuk është vetëm kapiteni i Kombëtares. Ai është njëri prej Dardanëve që po shkruan historinë e vendit tonë. Mirënjohja për të dhe për të gjithë lojtarët tanë nuk është thjesht një detyrim moral, por reflektim i vlerave që duam të kultivojmë: përkushtim, dinjitet dhe krenari.”

FFK përfundon duke theksuar se futbolli është më shumë se rezultatet, është mënyra se si tregojmë se kush jemi dhe çfarë vlerash mbrojmë. Punë dhe shpirtin e Muriqit, sipas federatës, e tregojnë çdo ditë përkushtimin dhe krenarinë që një komb duhet të ketë.

Federata gjithashtu falënderon tifozët dhe qytetarët që, edhe pas humbjes kundër Turqisë, qëndruan pranë ekipit, duartrokitën dhe mbështetën përkushtimin e jashtëzakonshëm të lojtarëve.

Exit mobile version