Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Deklaratën zyrtare lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Vendimi i të gjithë deputetëve erdhi pasi më 16 shtator Gjykata e Hagës u shqiptoi ish-drejtuesve të UÇK-së një dënim prej gjithsej 81 vjetësh burgim, vendim ky që u cilësua i padrejtë nga gjithë spektri politik në vend.
Përmes kësaj deklarate prej shtatë pikash, Kuvendi i Kosovës ka shprehur qëndrimin e unifikuar shtetëror mbi këtë proces gjyqësor:
- Shqetësimi dhe mospranimi: Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë dhe e cilëson si të papranueshëm përfundimin e Gjykatës për ekzistencën e një “qëllimi kriminal të përbashkët”.
- Strategjia shtetërore: I kërkohet të gjitha institucioneve të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të hartohet një strategji e përbashkët shtetërore, duke bashkërenduar hapat juridikë, institucionalë dhe diplomatikë për mbrojtjen e të vërtetës së luftës çlirimtare.
- Konteksti historik e gjyqësor: Rikujtohet se e vetmja ndërmarrje e përbashkët kriminale në Kosovën e viteve 1998–1999 u realizua nga strukturat e shtetit të Jugosllavisë dhe Serbisë për dëbimin e shqiptarëve, e vërtetuar kjo me aktgjykime nga Tribunali i Hagës (ICTY).
- Respectimi i mandatit: I kërkohet Dhomave të Specializuara të respektojnë mandatin e tyre në përputhje me vullnetin origjinal të Kuvendit të Kosovës.
- Refuzimi i barazimit: Kundërshtohet çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike apo për të barazuar popullin që luftoi për liri me regjimin shtypës.
- Zotimi institucional: Në pikën përmbyllëse theksohet se e vërteta e luftës, drejtësia për viktimat dhe e drejta për një gjykim të drejtë i përkasin Republikës, të cilat Kuvendi zotohet t’i mbrojë pa asnjë kompromis.
