UBT News

Ferizaj: Dy të arrestuar për posedim të narkotikëve

Në raportin njëditor të Policisë së Kosovës raportohet se në Ferizaj janë arrestuar dy persona në dy raste të ndara për posedim të narkotikeve.

Rasti i parë është regjistruar rreth orës 21:30 në rrugën “Sali Çeku”, ku njësitet policore kanë ndaluar një të dyshuar kosovar te i cili, pas kontrollit fizik dhe kontrollit në veturën e tij, kanë gjetur dhe konfiskuar tri qese me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 2.92 gramësh, së bashku me një telefon mobil.

Ndërsa në rastin e dytë, në rrugën “Brigada 161”, policia ka realizuar një tjetër operacion pas pranimit të informatave, me ç’rast ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë.

Gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar 34.44 gramë marihuanë të ndarë në qese plastike, një mulli për bluarje, pako me letra për mbështjellje, një telefon mobil si dhe një sasi të parave të gatshme.

Për të dyja rastet është njoftuar prokurori, me vendim të të cilit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje pas intervistimit.

 

Exit mobile version