Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) do të mbahet më 30 gusht, ku do të zgjidhet kryetari i ri i federatës. Arben Fetahu është kandidati i vetëm për këtë pozitë dhe do të vazhdojë në detyrën e tij, pasi ka qenë kryetar aktual i FBK-së.
Në një deklaratë për media, Fetahu ka shpjeguar se nominimi i tij është bërë nga të gjithë anëtarët e Federatës dhe është rezultat i punës së përkushtuar gjatë katër viteve të fundit. Ai ka theksuar se ky besim i madh e motivon më shumë për të vepruar me përgjegjësi të shtuar.
Përkundër që emri i tij si i vetëm për këtë pozitë është parë nga disa si një shenjë e mungesës së demokracisë, Fetahu ka sqaruar se Federata e Basketbollit të Kosovës nuk ka sistem autokratik. Ai ka përmendur se sistemi i kandidimit është i hapur dhe çdo anëtar i FBK-së ka mundësinë të propozojë kandidatë.
“Nuk është çështje diktati apo tiranie. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë dhe përmirësimi i basketbollit në vitet e fundit është i dukshëm. Sistemi ynë i hapur i kandidimit lejon që çdo anëtar të nominojë, që ndryshe nga federatat e tjera me sistem të mbyllur, është një dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit tonë,” ka thënë Fetahu.
Nëse konfirmohet në krye të FBK-së, Fetahu ka premtuar të luftojë për përmirësimin e infrastrukturës sportive, megjithëse ka theksuar se kjo nuk është vetëm në dorën e Federatës. Ai ka përmendur nevojën për avancimin e strukturës dhe shtrirjen e basketbollit për të gjithë, për të arritur rezultate të dukshme në fund të katër viteve.
Fetahu ka njoftuar gjithashtu se shumica e klubeve janë në përfundim të procesit të licencimit dhe se janë në pritje të disa dokumenteve nga klube të caktuara. Ai ka theksuar se moslicencimi sjell mundësinë e suspendimit të klubeve nga garat, një masë që FBK është e detyruar ta zbatojë.
“Klubet që nuk kalojnë procesin e licencimit mund të përballen me mospjesëmarrje në gara. Kjo është një masë e rëndësishme që duhet zbatuar për të mbajtur standardet e garave,” ka përfunduar Fetahu.
Kuvendi i Rregullt Zgjedhor pritet të konfirmojë Arben Fetahun në pozitën e kryetarit të FBK-së më 30 gusht./UBTNews/