UBT News

Festivali ReMusica vazhdon me koncerte dhe diskutime artistike

Dita e tretë e edicionit të 24-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës bashkëkohore, ReMusica, nis sot me një program të pasur aktivitetesh në Autostrada Biennale Hangar në Prizren.

Programi fillon me ReMusica Junior, që përfshin dy koncerte për fëmijë me kuartetin e klarinetëve nga Amsterdami dhe koncertin “Bota e Tingujve”.

Më pas, do të vijojë koncerti akusmatik i Julien Guillamat, një diskutim mbi krijimtarinë muzikore, si dhe një koncert xhepi me artistët rezidentë Zefiro Torna dhe Agona Shporta. Mbrëmja arrin kulmin në Prishtinë me një koncert të dyfishtë të LELEU Brothers – Romain dhe Thomas Leleu, me Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës.

Ky koncert do të mbahet në Kishën Katolike “Shën Ndou” në orën 19:00, duke ofruar një përvojë unike të muzikës bashkëkohore për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar.

Festivali ReMusica vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për promovimin e muzikës bashkëkohore dhe nxitjen e bashkëpunimeve artistike rajonale dhe ndërkombëtare. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version