Më 4 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të UP-së, do të mbahet ceremonia solemne e hapjes së edicionit të XXIV të festivalit “Kosova Kamerfest 2025”, ku do të performojë violinistja shqiptare Klodiana Skenderi.
Artistja do të ngjitet në skenë së bashku me violonçelistin francez Jerome Lefranc dhe pianisten me prejardhje bullgare Vessela Pelovska, me programin “Romantisme d’Est en Ouest”, që përfshin vepra nga Rachmaninov, Valton Beqiri, Smetana dhe Chausson.
“Klodiana Skenderi, violinistja shqiptare që jeton dhe vepron në Paris, rikthehet në Prishtinë pas plot 44 vitesh. Për herë të fundit ajo ishte ngjitur në skenën kosovare në fillim të viteve ’80, kur si vetëm 9-vjeçare mahniti publikun me virtuozitetin e saj. Atëherë interpretoi me mjeshtëri koncertin e Mendelssohn-it për violinë dhe orkestër, si dhe një recital violinë-piano në sallën e Radio Prishtinës – një paraqitje që mbeti gjatë në kujtesën e artdashësve. Kësaj radhe, ajo kthehet me dy kolegët e saj ndërkombëtarë për të sjellë disa nga kryeveprat e literaturës për piano trio (Rachmaninov, Smetana, Chausson), si dhe premierën botërore të veprës së kompozitorit kosovar Valton Beqiri – “Folk Suite” për piano trio (Jugu – Arbëreshë – Veriu – Kosova)”, thuhet në njoftimin e festivalit.
Përndryshe, koncerti i hapjes do të nisë në ora 20:00, duke shënuar fillimin e një edicioni të ri të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale në Prishtinë. /A.Z/UBT News/