Mysafirët që do të duan të ndjekin ngjarjet e mëdha si Met Gala, The Sundance Film Festival, The New York Fashion Week apo Cirque de Soleil, do të duhet të kenë provë të vaksinimit për të hyrë, është bërë e ditur.
Një zëdhënës ka thënë për Daily Beast se “Kushdo qe do të ndjekë The Met Gala në shtator të këtij viti, duhet të ketë dëshmi të vaksinimit të plotë e po ashtu do t’i kërkohet që të mbajë maskë në hapësirat e mbyllura, përveç kur janë duke ngrënë apo pirë”. Udhëzuesi lidhur me këto rregulla pritet të publikohet në ditët në vijim.
Edhe Java e Modës në New York e cila nis më 13 shtator do të kërkojë nga të gjithë të pranishmit në këtë ngjarje, duke përfshirë edhe të famshmit dhe të pasurit, që të mbajnë maskë, përveç kur janë duke ngrënë apo pirë.
Po ashtu, në këtë ngjarje të madhe të modës do të kërkohet që të pranishmit të kenë dëshmi të vaksinimit.
Ndërkohë, drejtori i festivalit The Sundance Film Festival, Tabitha Jackson ka thënë se shëndeti dhe siguria publike janë parësore.
“Siç planifikojmë për festivalin e vitit 2022, një prej çështjeve tona kryesore do të jetë se si t’i bëjmë bashkë në mënyrën më të sigurtë, artistët, audiencën, vullnetarët dhe stafin nga e gjithë bota. Si pjesë të angazhimit për këtë komunitet, ne do të kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit e festivalit që të jenë të vaksinuar. Ne po e japim këtë informatë tani për të siguruar që të gjithë pjesëmarrësit do të ndihen të sigurtë të marrin pjesë në festival”, ka thënë Jackson.
Ai nuk ka bërë të ditur nëse pjesëmarrësve do t’u kërkohet të mbajnë edhe maskat gjatë ceremonisë, siç kanë paralajmëruar nga ngjarjet e tjera.
Ndërkaq nga festivali Cirque de Soleil në Las Vegas kanë bërë të ditur se të pranishmëve që nuk janë vaksinuar plotësisht, do t’u kërkohet që të sjellin testet negative për COVID-19.