Në një atmosferë solemne në Pallatin e Rinisë, sot u hap edicioni i 24-të i Panairit të Librit “Prishtina 2024”. Organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, ky panair mban moton frymëzuese “Përgjigjja është Libri” dhe sjellë një shumëllojshmëri titujsh dhe ngjarjesh kulturore për lexuesit e Prishtinës dhe më gjerë.
Rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, duke prezantuar mbi 2,000 tituj të rinj për të gjithë adhuruesit e librit.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli, në fjalën e tij të hapjes, inkurajoi vizitorët të marrin pjesë aktivisht në këtë ngjarje kulturore, duke theksuar rëndësinë e librit për formimin e shoqërisë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, dhe Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, gjithashtu shprehen të kënaqur me praninë masive të botuesve dhe lexuesve, duke rënë dakord në rëndësinë e mbështetjes së institucioneve për promovimin e kulturës së leximit, shkruan Anadolu Ajans.
Panairi do të ofrojë një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë promovime, diskutime me autorë, botues dhe përkthyes, duke sjellë një ambient të ngrohtë dhe të stimulueshëm për të gjithë vizitorët. Ngjarja zgjat nga data 5 deri më 9 qershor, duke krijuar një mundësi të rrallë për të eksploruar botën e librave dhe kulturës së tyre./UBTNews/