Mijëra tifozë të Paris Saint-Germainit u mblodhën të dielën pranë Kullës Eiffel për të festuar suksesin historik të skuadrës në Ligën e Kampionëve. Atmosfera festive mbizotëroi gjatë ditës, megjithëse nata paraprake u shoqërua me incidente dhe përleshje në disa pjesë të Francës.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, njoftoi se 780 persona janë arrestuar në të gjithë vendin, ndërsa 57 zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar, kryesisht me lëndime të lehta. Ai theksoi se situata ka qenë përgjithësisht nën kontroll dhe se shumica e tifozëve kanë festuar në mënyrë paqësore.
Sipas autoriteteve, incidentet më të mëdha u regjistruan në zonën e Champs-Élysées dhe pranë stadiumit Parc des Princes, ku tifozët ishin mbledhur për të ndjekur finalen. Gjatë natës pati dëmtime të lokaleve, djegie të mbeturinave, biçikletave dhe disa automjeteve, ndërsa policia ndërhyri disa herë për të rikthyer rendin.
Autoritetet raportuan incidente në të paktën 15 lokacione në Francë, ndërsa vetëm në rajonin e Parisit u arrestuan 480 persona. Policia ndërhyri gjithashtu pesë herë për të larguar grupe që bllokonin trafikun në unazën kryesore rrugore përreth kryeqytetit.
Një aksident i rëndë ndodhi kur një drejtues mjeti humbi kontrollin e veturës dhe u përplas në tarracën e një restoranti, duke lënduar dy persona. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Prokuroria e Parisit bëri të ditur se 277 persona mbeten në paraburgim, përfshirë 82 të mitur. Ata dyshohen për sulme ndaj policisë, dëmtim prone, vjedhje dhe prishje të rendit publik.
Ndërkohë, festimet zyrtare të së dielës në Champ de Mars u zhvilluan sipas planit dhe nën masa të rrepta sigurie. Deri në 100 mijë tifozë morën pjesë në këtë ngjarje, ku lojtarët e PSG-së prezantuan trofeun e Ligës së Kampionëve para mbështetësve të tyre. Më pas, skuadra u prit nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée.
Nënkryetari i Parisit, Emmanuel Grégoire, përgëzoi shumicën e tifozëve për festimet paqësore, por dënoi ashpër aktet e dhunës dhe vandalizmit që shoqëruan natën e triumfit. Ai theksoi se pjesa më e madhe e parisienëve festuan me gëzim, unitet dhe respekt.
