Për nder të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana do të rikthejë paradën kuqezi, e cila do të mbahet më 28 Nëntor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi se ky aktivitet do të jetë një festë e madhe për shqiptarët, që do të mblidhen për të kremtuar bashkë Pavarësinë e Shqipërisë në zemër të kryeqytetit.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, Veliaj i bëri thirrje shqiptarëve, kudo që ndodhen, të bashkohen dhe të festojnë këtë ngjarje të rëndësishme për vendin. Ai theksoi se parada do të jetë një shfaqje e traditave dhe kulturës shqiptare, duke përfshirë këngët dhe kostumet tradicionale nga çdo trevë shqiptare.
“28 Nëntor – Parada e shqiptarëve, parada kuqezi,” shkroi Veliaj, duke ftuar të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në këtë ngjarje madhështore. Ai shtoi: “E ku ka më mirë se sa kur të gjithë shqiptarët mblidhen bashkë në Tiranë më 28 Nëntor, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në një paradë me ngjyra Kuq e Zi në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme.”
Ky aktivitet ka për qëllim jo vetëm të festojë 112-vjetorin e Pavarësisë, por edhe të theksojë unitetin dhe krenarinë kombëtare të shqiptarëve, duke u bërë një ngjarje që do të mbetet në kujtesën e të gjithë pjesëmarrësve. Veliaj ftoi gjithashtu qytetarët të bashkohen për një ditë të veçantë dhe të festojnë me zemër të hapur në qytetin e Tiranës.
“Eja festojmë në zemër të Tiranës”, përfundon postimi i kryebashkiakut Veliaj, duke ftuar të gjithë shqiptarët që të jenë pjesë e kësaj dite të veçantë./UBTNews/