Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka protestuar këtë të hënë para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën e krijuar pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit nga fermat vendore.
Fermerët dolën në protestë me mjete bujqësore dhe derdhën qumësht para objektit të ministrisë, ndërsa mbanin pankarta me mbishkrimet “Mos na leni pa bukë” dhe “Mbroni prodhimet vendore”.
Sipas Shoqatës, vendimi për protestë u mor unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik, pasi, siç thanë, institucionet nuk kanë reaguar ndaj shqetësimeve të tyre.
“Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhej në njoftimin e shoqatës.
Fermerët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin urgjent të rezultateve të analizave për të larguar dyshimet mbi produktet vendore dhe rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, me qëllim që të shmanget falimentimi i fermave.
Protesta vjen pas zhvillimeve të javës së kaluar, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi se gjatë një inspektimi në kompaninë “Vita” kishte konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi, pas verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit.
Një ditë pas inspektimit, kompania “Vita” njoftoi ndërprerjen e përkohshme të punës, ndërsa drejtori i përgjithshëm, Artan Spahija, tha se vendimi ishte marrë nga bordi i kompanisë.
Ndërkohë, Komisioni inspektues i AUV-së bëri të ditur se gjatë kontrollit është konstatuar se fabrika kishte shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë që ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Sipas AUV-së, rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura pas analizave laboratorike./A.K/
