Një aksion i gjerë dhe i koordinuar ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, i koduar nën Task Forcën “White Star”, ka goditur një rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike në rajonin e Ferizajt. Operacioni, i zhvilluar më 13 prill 2026, ka rezultuar me arrestimin e dy personave të tjerë të dyshuar, duke e çuar numrin total të të ndaluarve në katër.
Gjatë këtij operacioni, autoritetet kanë arritur të sekuestrojnë një sasi të konsiderueshme prej rreth 17.9 kg lëndë narkotike, e llojit heroinë. Sipas njoftimit zyrtar, personat e ndaluar me inicialet A.D., S.Sh., M.Sh. dhe M.B., dyshohen për përfshirje në disa vepra penale që ndërlidhen me trafikimin dhe shpërndarjen e drogës.
Ky aksion vlerësohet si një goditje e rëndësishme ndaj grupeve kriminale në vend, ndërkohë që Prokuroria Speciale po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe bashkëpunëtorët e mundshëm në këtë rast.
