Në kuadër të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, në Ferizaj është mbajtur për herë të parë mbrëmja artistike kushtuar ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Në sheshin “Adem Jashari”, publiku ferizajas ka ndjekur interpretimet e artistëve Alma Bektashi, Malvina Likaj, Samir Shehu dhe Liridon Sadriu, të shoqëruar nga Pagarusha Band, nën drejtimin artistik të Shpëtim Saraçit.
Gjatë mbrëmjes janë interpretuar disa nga këngët më të njohura të Nexhmije Pagarushës, ndërsa publiku është bërë pjesë e atmosferës duke kënduar së bashku me artistët.
Pas Prishtinës dhe Ferizajt, “Mbrëmja Nexhmije Pagarusha” do të prezantohet për herë të parë edhe në Istog, më 18 korrik në orën 20:00, në Parkun e Qytetit.
Koncerti është pjesë e programit të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, i cili këtë vit zhvillohet nën moton “Play Music, Not War”. Aktivitetet e festivalit janë të hapura dhe falas për publikun, përveç Gala Night “Rame Lahaj & Friends”, që mbahet më 29 korrik./A.K/
