Policia e Kosovës në Ferizaj ka njoftuar se gjatë dy operacioneve të ndara ka arritur të sekuestrojë tri armë zjarri dhe municion.
Rasti i parë u regjistrua më 13 prill, ku pas informacioneve të siguruara nga hetuesit rajonalë, është identifikuar 47-vjeçari me iniciale G.R. Gjatë kontrollit në banesën e tij në rrugën “12 Qershori”, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për armëmbajtje pa leje në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, më 15 prill, policia ndërhyri në një rast kanosjeje në fshatin Nekodim, pas një mosmarrëveshjeje verbal mes dy personave.
Pas intervistimit, u konfirmua se i dyshuari P.R., 35-vjeçar, kishte kanosur personin tjetër.
Me autorizim të prokurorit, policia kreu kontroll në shtëpinë e tij, ku gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me dy karikatorë, një pushkë gjahu dhe një sasi të municionit. Ndaj tij është iniciuar rasti për “Kanosje”, ndërsa hetuesit po vazhdojnë me verifikimin e dokumentacionit të armëve të gjetura.
