Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës ka ndaluar një rast të kontrabandimit me migrantë në fshatin Babush të Ferizajt.
Sipas raportit, rreth orës 01:30, gjatë një kontrolli rutinë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një kamion të drejtuar nga një burrë, ku pas verifikimit të detajuar të rimorkios, janë zbuluar shtatë persona, të gjithë burra shtetas të huaj, të cilët po transportoheshin në mënyrë të paligjshme.
I dyshuari është shoqëruar menjëherë në stacionin policor për procedura të mëtejshme intervistimi.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me vendim të të cilit vozitësi i kamionit është liruar për t’u mbrojtur në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, shtatë shtetasit e huaj, të cilët cilësohen si viktima të këtij rasti, janë trajtuar sipas normave ligjore dhe janë akomoduar në Qendrën e Pritjes për Migrantë, ku do t’u nënshtrohen proceseve të mëtejshme të verifikimit dhe trajtimit nga autoritetet kompetente.
