Sot rreth orës 07:50 në Ferizaj, policia ka arrestuar një 16-vjeçar dhe nënën e tij 47-vjeçare, pas një incidenti që nisi në sheshin e qytetit dhe përfundoi me lëndimin e dy qytetarëve dhe tre zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit zyrtar, i mituri fillimisht ka sulmuar qytetarët me thikë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia e ka lokalizuar të dyshuarin në fshatin Greme, ku ai ka refuzuar të dorëzohet, ka hedhur benzinë në trup dhe ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë e me thikë. Gjatë kësaj kohe, nëna e tij ka ndërhyrë duke penguar veprimet e policisë. Nga përleshja kanë mbetur të lënduar tre policë, përfshirë njërin që ka marrë një goditje me thikë në qafë.
Pas ndërhyrjes, policia ka prangosur të dy personat dhe ka sekuestruar thikën si provë materiale. Me urdhër të prokurorit, 16-vjeçari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /E.A/
