UBT News

Fenerbahçe veçon Muriqin pas golit ndaj Benficas

Vedat Muriqi ishte protagonist të mërkurën, duke shënuar një gol të rëndësishëm për Fenerbahçen në ndeshjen që i siguroi skuadrës turke rikthimin në fazën e ligës së Champions League pas 18 vjetësh.

Dy ditë pas ndeshjes, gjiganti nga Stambolli ka bërë një postim të veçantë për sulmuesin kosovar, duke zbuluar edhe bisedën që i parapriu golit të tij.

Muriqi kishte komunikuar me bashkëlojtarin Oguz Aydin, i cili po përgatitej për të harkuar topin në zonë.

“Harkoje topin lart dhe gjuaje në mes”, i kishte thënë Muriqi bashkëlojtarit të tij, duke i kërkuar një krosim të përshtatshëm për të sulmuar topin.

Disa momente më vonë, gjithçka ndodhi pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar sulmuesi kosovar.

Aydin harkoi topin në zonë, ndërsa Muriqi u ngrit dhe goditi me kokë. Pas rikthimit të topit, kosovari reagoi shpejt dhe e dërgoi sërish në rrjetë për epërsinë 1:0 në minutën e 24-t.

Fenerbahçe më pas e shënoi edhe golin e dytë dhe, pavarësisht se kundërshtari ngushtoi rezultatin, skuadra turke e ruajti fitoren 2:1, duke siguruar një vend në elitën e futbollit evropian.

Për Muriqin, ky ishte një tjetër moment i rëndësishëm në rikthimin e tij te Fenerbahçe, ndërsa klubi turk nuk ka ngurruar ta veçojë kontributin e sulmuesit kosovar në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit.

D.L

Exit mobile version