Një studim i fundit i realizuar nga Save the Children ka zbuluar se 78% e fëmijëve në Kosovë besojnë se bullizmi është një problem i përhapur në institucionet arsimore. Vlerësohet se ky fenomen ka pasoja të rënda në shëndetin emocional dhe psikologjik të fëmijëve, duke çuar shpesh në ankth, depresion dhe ulje të vetëvlerësimit. Përveç ndikimeve të drejtpërdrejta në mirëqenien e fëmijëve, bullizmi ka efekt negativ edhe në arritjet akademike dhe marrëdhëniet shoqërore të tyre.
Për të luftuar këtë problem dhe për të mbrojtur mirëqenien e fëmijëve, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet shkollave, familjeve dhe institucioneve shtetërore. Edukimi i fëmijëve mbi rreziqet e bullizmit dhe përdorimin e përgjegjshëm të mediave sociale, veçanërisht në platformat si TikTok, është një hap thelbësor për të parandaluar ndikimet negative që sjell ky fenomen.
Profesoresha dhe psikologia klinike, Violeta Zefi, thekson se ky rezultat është një thirrje për veprim të menjëhershëm dhe përkushtim të madh nga prindërit, mësimdhënësit, shkollat dhe institucionet, për të krijuar një mjedis sa më të sigurt për fëmijët në Kosovë.
Çfarë do të thotë për shoqërinë kosovare që 78% e fëmijëve besojnë se bullizmi është një problem i pranishëm në shkollat e tyre?
Fakti që 78% e fëmijëve në Kosovë besojnë se bullizmi është një problem i pranishëm në shkollat e tyre reflekton disa aspekte shqetësuese dhe të rëndësishme për shoqërinë kosovare. Fillimisht, kjo përqindje tregon se një pjesë e madhe e fëmijëve përballen me një mjedis shkollor që nuk është gjithmonë i sigurt dhe mbështetës për ta. Po ashtu, ky rezultat tregon se fëmijët janë të vetëdijshëm për problemin e bullizmit dhe përgjithësisht janë të hapur për të diskutuar për të. Ky është një hap i rëndësishëm drejt adresimit të tij, pasi identifikimi i një problemi mund të trajtohet më lehtë dhe pa pritur gjatë. Rezultati flet për një thirrje të qartë për ndërhyrje dhe përkushtim më të madh nga prindërit, mësimdhënësit, shkollat dhe institucionet shtetërore për të krijuar një mjedis të sigurt, ku çdo fëmijë të ndihet i respektuar dhe i mbrojtur.
Si mund të ndikojë përhapja e bullizmit në shkolla dhe në rrjetet sociale, si TikTok, në zhvillimin emocional dhe psikologjik të fëmijëve në Kosovë?
Ndikimi psikologjik i bullizmit shpesh manifestohet me simptoma të ankthit dhe depresionit. Fëmijët mund të ndihen të stresuar, të frikësuar ose të pafuqishëm përballë situatave të tilla. Rrjetet sociale, mund të përkeqësojnë këtë gjendje, duke e bërë të pamundur që fëmijët të shkëputen nga mjedisi i bullizmit. Përjetimi i bullizmit në shkolla mund të çojë në mungesë motivimi, përqendrim të ulët dhe rezultate të dobëta nëmësimnxënie. Kjo përkeqësohet kur bullizmi vazhdon edhe jashtë shkollës, përmes platformave sociale.
Fëmijët që përballen me bullizëm shpesh shfaqin sjellje destruktive si një mënyrë për të përballuar stresin, duke përfshirë vetë-dëmtimin. Gjithashtu, bullizmi mund të krijojë tensione në marrëdhëniet familjare, pasi fëmijët shpesh mund të ndihen të pa kuptuar ose të paaftë për të shprehur ndjenjat e tyre.
Përderisa TikTok është identifikuar si platforma më e rrezikshme për bullizmin online në Kosovë, çfarë hapash mund të merren për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në këtë platformë?
Është shumë i rëndësishëm edukimi për përdorimin e mediave sociale. Prindërit dhe mësimdhënësit duhet të mësojnë fëmijët të përdorin rrjetet sociale në mënyrë të përgjegjshme dhe të kuptojnë rreziqet e bullizmit online. Po ashtu, duhet të zhvillohen programe që rrisin ndërgjegjësimin për bullizmin dhe ndikimin e tij, duke krijuar një mjedis më mbështetës dhe të sigurt për fëmijët. E një rëndësie të veçantë është edhe mbështetja psikologjike. Këshillimi dhe ndihma psikologjike për fëmijët që përjetojnë bullizëm janë thelbësore për rikuperimin e tyre emocional.
Si mund të kontribuojnë shkollat, prindërit dhe institucionet për të krijuar një mjedis më të sigurt për fëmijët, duke adresuar dhe luftuar bullizmin, si në shkolla ashtu edhe online?
Shkollat, prindërit dhe institucionet mund të luajnë role të rëndësishme për të krijuar një mjedis më të sigurt për fëmijët dhe për të luftuar bullizmin, si në shkolla ashtu edhe online.
Është shumë i rëndësishëm hartimi dhe zbatimi i programeve kundër bullizmit. Të edukohen nxënësit mbi efektet e bullizmit përmes trajnimeve dhe aktiviteteve ndërgjegjësuesenë shkolla. Prindërit duhet të ndërtojnë komunikimit të hapur më fëmijet. Të krijojnë një mjedis ku fëmijët ndihen të sigurt për të ndarë përvojat e tyre. Po ashtu, të monitorojnë përdorimin e rrjeteve sociale, përkatësisht të edukojnë dhe mbikëqyrin aktivitetin online të fëmijëve për t’i mbrojtur nga bullizmi virtual.
Institucionet duhet të hartojnë politika mbrojtëse që do të fokusoheshin në adresimin e bullizmin në shkolla dhe online. Po ashtu, institucionet të bëjnë të mundur që secila shkollë të ketë shërbim psikologjik.
Ndihma psikologjike për fëmijët që përjetojnë bullizëm është thelbësore për rikuperimin e tyre emocional. Bashkëpunimi në mes të gjitha palëve, prindërve, shkollave dhe institucioneve është krucial për rezultate pozitive. Ofrimi i mbështetjes psikologjike për fëmijët që përballen me bullizëm është një hap i rëndësishëm për të siguruar zhvillimin e tyre emocional dhe për të ndihmuar në rikuperimin nga dëmet psikologjike që bullizmi mund të shkaktojë. Vetëm nëpërmjet ndërgjegjësimit, edukimit dhe bashkëpunimit të të gjitha palëve të shoqërisë mund të luftojmë bullizmin dhe të sigurohemi se cdo fëmijë të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur në mjedisin shkollor.
Gazetare: Dea Berisha