Ylli kosovar me pasaportë zvicerane, Granit Xhaka dje ka marrë një lajm të keq pasi është infektuar me COVID-19. Ai pas disa simptomave që kishte gjatë grumbullimit me ekipin zviceran bëri testin për koronavirus dhe doli pozitiv.
Sot shefi për media në Federatën e Futbollit të Zvicrës, Adrian Arnold ka thënë se Xhaka ka refuzuar të marrë vaksinën antiCOVID.
“Granit Xhaka nuk është vaksinuar. Ai është lojtar i pa vaksinuar. Ne i kemi lënë (vendimin për vaksinim) në dorën e secilit lojtar, është zgjedhje personale për çdo lojtar, siç është për çdo person tjetër në Zvicër. Ne e kemi bërë një rekomandim që të vaksinohen të gjithë. Ai vendosi vetë (kundër vaksinimit). Është e drejta e tij të mos vaksinohet”, thuhet në njoftim.
Arnold shtoi: “Të gjithë lojtarët e tjerë janë vaksinuar apo janë riaftësuar. Prandaj ata janë të sigurt, pak a shumë, të paktën prej pikëpamjes mjekësore. Por kurrë nuk i dihet. Fatkeqësisht Graniti u infektua. Nga pikëpamja sportive është shumë keq, sepse ai është i rëndësishëm për ne në këtë kohë”.