Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, është dënuar me dy ndeshje pezullim nga komiteti disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit, pas përjashtimit të tij në barazimin 1-1 kundër Osasunës të shtunën.
Futbollisti anglez u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Jose Munuera Montero, pas protestave ndaj vendimeve të tij. Bellingham këmbënguli se kishte shprehur vetëm zhgënjimin e tij dhe nuk kishte fyer arbitrin, por komiteti disiplinor e konsideroi të pamjaftueshme mbrojtjen e Real Madridit për të kundërshtuar raportin zyrtar të arbitrit.
Si pasojë, Bellingham do të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme të La Ligës kundër Girona-s dhe Real Betis-it, të planifikuara më 23 shkurt dhe 2 mars.
Arbitri Munuera Montero ka marrë kërcënime në internet pas vendimit për përjashtimin e Bellingham, të cilat Federata Spanjolle i ka dënuar si “të neveritshme”.
Nga ana tjetër Real Madrid ka kundërshtuar vendimin dhe ka kritikuar ashpër arbitrimin spanjoll, duke e cilësuar si “të manipuluar” në një letër zyrtare drejtuar federatës.