Federata Skitare e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës të Bordit Ekzekutiv, ku janë diskutuar aktivitetet e fundit, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare dhe përgatitjet për sezonin e ri të skijimit.
Sipas njoftimit të Federatës, mbledhja është mbajtur më 29 tetor 2026, ndërsa në të janë shqyrtuar raportet nga pjesëmarrja në Takimet Pranverore të Federatës Ndërkombëtare të Skijimit (FIS) në Slloveni, Kongresin e 57-të të FIS-it në Beograd, si dhe Takimet Vjeshtore në Gjenevë të Zvicrës.
Një ndër temat kryesore ishte organizimi i kampeve vendore të skijimit, si dhe mundësia e mbajtjes së një kampi ndërkombëtar të FIS-it për trajnerë nga Kosova dhe vendet e rajonit të Ballkanit.
Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe përgatitjet për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Skijimit, përmirësimi i kushteve të punës dhe nevoja për mbështetje më të madhe të aktiviteteve të Federatës.
Në fund, Federata Skitare e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.
D.L
