UBT News

Federata e Motoçiklizmit të Kosovës anëtarësohet në Federatën Ndërkombëtare të Motoçiklizmit

Federata e Motoçiklizmit të Kosovës (FMKS) tashmë është edhe zyrtarisht pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit (FIM). Kryetari i kësaj federate, Nuhi Lugaxhiu ka bërë të ditur në një konferencë për media se 83 nga 121 shtete pjesëmarrëse në asamblenë e kësaj federate kanë votuar pro Kosovës për këtë anëtarësim.

Ai ka thënë se ky sukses vjen pas një punë të madhe nga federata dhe institucionet tjera sportive në Kosovë.

“Federata e Motoçiklizmit të Kosovës më datën 6 dhjetor është pranuar ndërkombëtarisht në Federatën Ndërkombëtare të Motoçiklizmit. Ka qenë një përpjekje dhe angazhim i madh e i gjatë ku ne kemi arritur deri në këtë pikë dhe Federata e Motoçklizmit të Kosovës në mesin e 121 shteteve ka marrë pjesë në këtë asamble dhe është votuar me të drejtë vote. 83 vota i ka marrë Kosova dhe gjashtë kundër. Kështu që prej datës 6 dhjetor Kosova është pjesë e familjes më të madhe në botë, e familjes ndërkombëtare të motoçiklizmit”, tha Lugaxhiu.

Lugaxhiu ka shtuar se me këtë rast, Kosovës dhe sportistëve të këtij sporti u hapen rrugë të reja për të garuar të barabartë me të gjitha shtete tjera.

“Me këtë rast Kosovës dhe gjithë sportistëve dhe sportdashësve iu është hapur një derë më shumë dhe një rrugë më e rëndësishme sepse Kosova gjithmonë do të përfaqësohet me flamurin e saj në gara ndërkombëtare dhe botërore”, theksoi ai.

Ai ka treguar edhe nëse kishte shtete specifike që kanë tentuar ta pengojnë Kosovën drejtë këtij anëtarësimi në Federatën Ndërkombëtare të Motoçklizmit.

“Jo, nuk mund të them që ka pasur iniciativa të tilla që ta pengojnë, më shumë ka qenë ideja që ta pranojnë se një shtet i bogël edhe gjatë diskutimit atje me presidentin e FIM-it që Kosova ka qenë një shtet i vogël mirëpo me kapacitete të mëdha”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se në procesin e lobimit janë mbështetur nga Komiteti Olimpik, Ministria e Sportit dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Exit mobile version