Edin Kolgeci është kryetar i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës. Kolgeci e mori përkrahjen e plotë të delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të FHK-së të mbajtur të enjten në Prishtinë. Ai ishte kandidati i vetëm për postin e kryetarit.
Mandati i Kolgecit është katërvjeçar. Kolgeci ka falënderuar delegatët për besimin, ndërsa ka premtuar punë maksimale dhe bashkëpunim me të gjitha palët për rritjen e mëtejmë të hendbollit kosovar.
Nënkryetar u zgjodh Xhavit Morina, ndërsa anëtare të Bordit me votat e delegatëve u zgjodhën Fatmire Ferati e Vlora Jashari.
Në Kuvendin Zgjedhor ishin 36 prej 37 delegatëve.