Aplikimi i VAR-it në futbollin kosovar ka qenë tema e diskutimit mes presidentit të FFK-së, Agim Ademit, sekretarit Eroll Salihut dhe presidentit të FSH-së, Armand Dukës.
Takimi është mbajtur në Tiranë ku krerët kanë marrë për bazë aplikimin e VAR-it në Shqipëri dhe është thënë se procesi për aplikim në Kosovë duhet përshpejtuar.
“FFK është duke punuar në drejtim të përshpejtimit të këtij procesi, në mënyrë që edhe në Kosovë VAR-i të fillojë të aplikohet në një afat sa më të shpejtë që është e mundur, teksa përvoja e FSHF-së në këtë drejtim mund të ndihmojë shumë. Në fakt, FFK-ja do ta përdorë të njëjtin sistem si FSHF-ja, që është njëri prej sistemeve më të avancuara, e ku do të shfrytëzohet edhe përvoja dhe softuerët e tyre. Kjo gjë do të mundësojë trajnimin intensiv të gjyqtarëve me sistemin VAR dhe do ta bëjë të mundur përshpejtimin e aplikimit të tij në kampionatin tonë”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
Zyrtarët e dy federatave kanë thënë se VAR-i në futbollin kosovar do të jetë mobil dhe FFK-ja do e ketë përkrahjen e UEFA-s. Aplikimi i këtij sistemi është cilësuar i kushtueshëm dhe pritet që të kap vlerën e 1 milion eurove.
“FFK-ja është këmbëngulëse që ta realizojë këtë projekt, për çka do të kërkojë edhe fonde nga FIFA por edhe nga institucionet përkatëse të shtetit, duke pasur parasysh se një sistem i tillë tashmë është bërë i domosdoshëm për futbollin”, thuhet tutje.