Federata e Tenisit të Australisë tha se do ta shqyrtojë çështjen e anulimit të vizës së tenistit serb, Novak Gjokoviq pas përfundimit të turneut Australian Open.
Ky njoftim vjen dy ditë pasi Gjokoviq u dëbua nga Australia, pasi humbi rastin në gjykatë lidhur me anulimin e vizës së tij.
Turneu Australian Open, që Gjokoviqi e ka fituar nëntë herë, nisi të hënën. Tre gjykatës, të dielën më 16 janar, thanë se do ta linin në fuqi vendimin për anulimin e vizës së tenistit dhe ai më pas u dëbua nga shteti.
Gjokoviq kishte marrë një përjashtim mjekësor nga Federata e Tenisit të Australisë dhe nga shteti Viktoria, që i mundësonte atij t’i shmangej rregullave të vaksinimit kundër koronavirusit. Ai këtë përjashtim e kishte bazuar në faktin se kishte qenë i infektuar me COVID-19 muajin e kaluar.
Por, zyrtarët kufitarë ia refuzuan këtë përjashtim mjekësor dhe ia anuluan vizën tenistit me të mbërritur në Australi. Vendimi u hodh poshtë nga një gjykatës, por më pas autoritetet ai anuluan sërish vizën Gjokoviqit dhe e dëbuan nga shteti.
“Gjithmonë ka mësime për të nxjerrë dhe ne do të shqyrtojmë të gjitha aspektet e përgatitjeve tona dhe zbatimit të planit tonë, siç bëjmë çdo vit. Ky proces gjithmonë nis pasi të shpallen kampionët e rinj të Australian Open”, u tha në deklaratën e Federatës.
Në deklaratë po ashtu u tha se organizatorët e turneut Australian Open kanë punuar me qeveritë federale dhe shtetërore për një vit me qëllim që ky turne të mbahet gjatë pandemisë.