FC Prishtina ka konfirmuar sot përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Arsim Thaqi, një vendim i arritur me marrëveshje të përbashkët mes palëve. Klubi kryeqytetas e ka falënderuar Thaqin për kontributin e dhënë dhe ka theksuar se dyert mbeten të hapura për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen.
Arsim Thaqi mori drejtimin e skuadrës në prill të vitit të kaluar, duke e udhëhequr Prishtinën drejt triumfit në Kupën e Kosovës dhe sigurimit të pjesëmarrjes në arenën evropiane. Nën drejtimin e tij në këtë sezon, pas 14 xhirove, FC Prishtina kryeson renditjen e Superligës me 26 pikë, tre më shumë se ndjekësi më i afërt.
Klubi bardhekaltër i ka uruar trajnerit Thaqi suksese në karrierën e tij të ardhshme profesionale dhe personale./KP
