UBT News

FC Drita eliminohet nga Liga e Kampionëve

Ëndrra e FC Dritës për të vazhduar rrugëtimin në UEFA Champions League mori fund në raundin e parë kualifikues, pasi kampionia e Kosovës u mposht 3:2 nga Kauno Žalgiris në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pas barazimit 1:1 në takimin e parë, sfida e kthimit ishte mjaft e luftuar dhe e mbushur me emocione, ndërsa fituesi u vendos vetëm në minutat shtesë, kur mysafirët realizuan golin e fitores nga pika e bardhë.

Kauno Žalgiris kaloi në epërsi në minutën e 9-të me golin e Vykintas Slivka. Drita reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin në minutën e 21-të përmes Igball Jasharit. Në pjesën e dytë, Arb Manaj realizoi në minutën e 53-të për t’i dhënë epërsinë kampiones së Kosovës dhe për të rikthyer shpresat për kualifikim.

Megjithatë, skuadra lituaneze nuk u dorëzua. Vykintas Slivka shënoi golin e barazimit në minutën e 82-të, ndërsa në minutën e 94-t, Amine Benchaib u tregua i saktë nga pika e penalltisë, duke vulosur fitoren 3:2 dhe kualifikimin e Kauno Žalgiris në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Me këtë disfatë, Drita i jep fund rrugëtimit në Champions League dhe tashmë do ta vazhdojë garimin në UEFA Conference League.

D.L

Exit mobile version