Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që ta shfuqizojë pikën e vendimit të datës 15.12.2022 që ndalonte pjesëmarrjen e tifozëve në ndeshjet e basketbollit në mënyrë të organizuar.
Kjo është bërë me arsyetimin se tashmë nuk ka rrezik që të ketë eskalim të situatës në tribuna dhe se kjo është parë, sipas FBK-së, në ndeshjet e deritanishme.
Ky është vendimi i ri i lëshuar nga FBK:
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), më 28.02.2023, ka marrë vendim që nga ‘Vendimet e Bordit të FBK-së të datës 15.12.2022’ të largohet pika në vijim:
‘Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër;’
Kjo si rrjedhojë e njoftimit/rekomandimit nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive (Këshilli për Sport), ku u potencua se, duke marr parasysh që prej periudhës kur FBK ka marrë vendime në lidhje me tifozëritë (15.12.2022) nuk ka pasur probleme të mëdha, kjo pikë mund të shfuqizohet.
Prandaj, deri në vendim tjetër, lejohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit të organizuara nga FBK.