UBT News

FBK reagon për arrestimin e Arbnor Rifatit dhe Daut Mehmeti

Trajneri kosovar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Nën akuzat për kurdisje të ndeshjeve, trajneri Rifati dhe gjyqtari Mehmeti, janë arrestuar sot pas një aksioni nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar”, tha Kelani.

Ndërkaq, tani vjen edhe reagimin nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e cila u shpreh e gatshme për të bashkëpunuar me organet e rendit për këtë rast që të sjell para drejtësisë personat e përfshirë në dukuritë negative në sport.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjithë opinionin sportdashës se, është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media.

Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA.

FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë”, ishte reagimi i FBK-së.

Exit mobile version