Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë sot prezantimin e Viktor Kovac si trajner të ri të Kombëtares së Kosovës te femrat, ndërsa edhe ka prezantuar edhe programin e aktiviteteve për periudhën qershor-korrik të këtij viti.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu fillimisht shpalosi aktivitetet të cilat parashihen të zhvillohen gjatë muajve qershor dhe korrik. Më 8 dhe 9 qershor do të zhvillohet FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier. Nga data 25 deri më 30 qershor do të mbahet FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla për femra. Më 18 deri më 21 korrik do të zhvillohet FIBA 3×3 Women’s Challenger Prishtina, kurse nga data 23 deri më 28 korrik do të mbahet FIBA U18 Kampionati Evropian – Divizioni C për femra.
Pasi që shpalosi programin, Fetahu tha se këto pesë ngjarje që do t’i organizojnë këtë vit janë dëshmi tjetër e FBK-së për promovimin e basketbollit të Kosovës te femrat, ndërsa edhe prezantoi trajnerin e ri të vashave të Kosovës, Viktor Kovac.
“Këto ngjarje në veçanti do të thotë, këto që po i organizojmë këtë vit, pesë prej tyre, përbëjnë edhe një dëshmi tjetër të përpjekjeve tona, të mundit tonë të cilin po e bëjmë për të promovuar basketbollin e Kosovës, për të sjellë pranë nivelit të cilin e kemi në basketbollin mashkullor edhe basketbollin e femrave në Kosovë, edhe për të ndihmuar dhe për të përkrahur enkas, për të subvencionuar për aq sa mundemi çdo gjë që ka të bëjë me femrat në basketboll…Do ta prezantojmë sot edhe trajnerin Kovac, i cili na ka dhënë kënaqësinë me faktin që e ka pranu ftesën për të qenë selektor i yni“, tha Fetahu.
Pas Fetahut fjalën e morri trajneri i ri i “Dardaneve”, Viktor Kovac i cili tha se detyra e tij është ta bëjë më të mirën që mundet me lojtaret që i ka për t’u përgatitur për një garë shumë të rëndësishme.
“Së pari, më duhet të them se jam shumë krenar që Federata më dha mundësinë të punoj me kombëtaren më të mirë të basketbollit të femrave, me lojtaret më të mira. Detyra ime këtu është të bëj absolutisht më të mirën që mund të bëj me këto lojtare për t’u përgatitur për një garë shumë të rëndësishme. Sigurisht, për shkak se jam i huaj, do të përpiqem të bëj çdo ditë më të mirën se kushdo tjetër për të dëshmuar veten këtu“, tha Kovac.
Më tej, menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Adriatik Rraci foli për përgatitjet e vashave “Dardane” dhe synimin në Kampionatin Evropian të femrave për Shtete të Vogla.
“Përfaqësuesja A e Kosovës ka filluar përgatitjet me datën 30 maj, ditën kur edhe janë akomoduar. Mund të them se përgatitjet në përgjithësi janë duke shkuar mirë. Kur e them këtë mendoj se deri më tani fatmirësisht nuk e kemi pas asnjë lëndim, ose ndonjë shqetësim tjetër më madhor i cili do të na i vështirësonte punët tona. Siç edhe jeni të njoftuar sa i përket FIBA Kampionatit Evropian për shtete të vogla, ne jemi pjesë e Grupit A ku së bashku me neve janë shtetet si Malta, Qipro dhe Gjeorgjia. Synimet tona janë që të dalim nga ky grup nga pozita e parë ose e dytë e cila do të na e mundësonte automatikisht mundësinë për të garuar në gjysmëfinale të këtij kampionati“, tha Rraci.
Për fund, ylli i Kombëtares së Kosovës, Astera Tuhina u shpreh e kënaqur që është pjesë e Kombëtares A, ndërsa tha se synimi do të jetë pozita e parë në grupin e Evropianit të Shteteve të Vogla.
“E kam kënaqësinë me qenë pjesë e Kombëtares A. Është një ndjenjë shumë e mirë, sidomos për shkak që mbahet në shtetin tonë. Synimet për këtë Kampionat siç tha edhe Adriatiku janë me dalë të parët në grup, për shkak që mundemi me mbërri në gjysmëfinalen e kampionatit, por edhe me jep maksimumin normalisht edhe me u mundu me luajt sa ma mirë dhe të fitojmë sa më shumë lojë që mundemi“, tha Tuhina.
FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – femrat do të mbahet për herë të parë në Kosovë. Për vashat e Kosovës kjo është paraqitja e tretë, derisa në dy herët e mëparshme, kjo ngjarje ishte organizuar në Qipro.
Vashat “Dardane” ndodhen në Grupin A, ku do të përballen me Gjeorgjinë, Qipron dhe Maltën. /UBTNews/