UBT News

FBK lanson platformën “Basketbolli 3.0”

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka prezantuar projektin “Basketbolli 3.0”, një vizion të ri që synon transformimin e lojës në vend përmes modernizimit, gjithëpërfshirjes dhe profesionalizmit.

Presidenti i FBK-së, Arben Fetahu, tha se kjo strategji përfshin adaptimin me teknologjinë dhe standardet bashkëkohore, përfshirjen e të gjithë komuniteteve dhe ngritjen e cilësisë së klubeve.

Platforma është vlerësuar nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, si e harmonizuar me frymën olimpike, ndërsa Ministria e Sportit ka shprehur mbështetjen për zhvillimin e talenteve dhe prezantimin ndërkombëtar të basketbollit kosovar.

“Sot në këtë rrugëtim të vazhdueshëm, Federata e Basketbollit po prezanton basketbollin 3.0, vizionin tonë të ri, iniciativën më të madhe dhe projektin me të cilin po shpresojmë që ta transformojmë lojën e basketbollit në çdo aspekt. Basketbolli 3.0 është një strategji gjithëpërfshirëse, një filozofi e ren në mënyrën se si do të zhvillojmë, si do ta organizojmë dhe promovojmë basketbollin. Por çka është basketbolli në disa pika të shkurtra? Përfshinë modernizimin, sepse basketbolli duhet të ec me kohën, me teknologjinë, me dixhitalizimin dhe me standartet më të larta të organizimit sportiv…Përtej kësaj është gjithëpërfshirja, sepse duhet të sigurohemi që basketbolli të luhet nga të gjithë, nga vajzat, djemtë, të rinjtë, të rejat, nga secili komunitet…Mandej, ne duhet të punojmë në cilësi dhe profesionalizëm bashkë me të gjithë përfaqësuesit e klubeve që i kemi e dinë se sa jemi duke u munduar për vite me radhë që përmes kritereve të licencimit të sigurojmë profesionalizëm të shkuar”, tha Fetahu.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se platfroma basketbolli 3.0 është në harmoni të plotë me frymën e lëvizjes olimpike.

“Në frymën e lëvizjes olimpike, basketbolli 3.0 mëshiron tri shtylla të forta përparimin, kreativitetin dhe unitetin. Qëllimet e basketbollit 3.0 janë tërësisht të harmonizuara me vizionin tonë olimpik. Rritja e pjesëmarrjes është në përputhje me idealin tonë për sportin për të gjithë, zhvillimi i talentëve të rinj dhe i vajzave është pjesë e përkushtimit tonë për barazi dhe mundësi të barabarta, përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është një mision që e ndajmë çdo dit përmes sportit dhe sportistëve tanë olimpik”, tha Krasniqi.

Nga Ministria e Sportit foli shefi i Shefi i Departamentit të Sportit, Fidan Shatri i cili shprehu gatishmërinë e MKRS-s për mbëshetjen e projekteve të tilla.

“Dy prej pesë pikave më bën përshtypje, zhvillimi i talentëve dhe prezantimi në arenën ndërkombëtare. Unë prej këtu bëj thirrje, sidomos tek anëtaret e juaj që zhvillimi i talentëve lidhet me klubet tona dhe në të njëjtën kohë të punohet shumë më shumë në prezantimin në arenën ndërkombëtare. Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport do të jetë çdoherë partner i aftë për projektet që kanë për qëllim zhvillimin e basketbollit”, theksoi Shatri./S.K/KP/FBK/

 

Exit mobile version