FBI ka nisur një kontroll në shtëpinë e presidentit, Joe Biden, në Rehoboth, Delaware, si pjesë e një hetimi për dokumente të klasifikuara. Kjo u bë e ditur nga avokatë të presidentit Biden. Nëpërmjet një deklarate, avokati i Biden tha se kërkimi ishte i “planifikuar” dhe me “mbështetjen e plotë” të presidentit.
CBS ka raportuar se kontrolli ka të bëjë me një hetim më të gjerë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara. FBI nuk ka komentuar mbi kontrollin dhe meqë ishte konsensuale, nuk është kërkuar një urdhër kërkimi. Avokati i zotit Biden, Bob Bauer, tha se kontrolli u krye “pa njoftim paraprak publik”, në interes të “sigurisë operacionale dhe integritetit”.
Kërkimi është i fundit i një serie kontrollesh të kryera në vende të ndryshme, pas zbulimit të dokumenteve të klasifikuara në Qendrën Penn në Uashington DC, në nëntor. Kjo nuk u bë publike në atë kohë.
Dokumentet shtesë u zbuluan në një shtëpi tjetër të zotit Biden në Wilmington, Delaware, nga kontrollet e mëvonshme të kryera në dhjetor dhe janar.
Zoti Biden ka thënë se ekipi i tij bëri “atë që duhej të bënte” dhe po “bashkëpunonte plotësisht” me hetimin. Njoftimi për kontroll vjen një ditë pasi këshilltari special, Robert Hur, filloi zyrtarisht detyrën e tij, duke mbikëqyrur hetimin mbi dokumentet.