Një mbrëmje e veçantë letrare do të zhvillohet sonte, më 28 tetor 2025, në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, ku do të promovohet libri “Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë” i autorit dhe studiuesit të njohur Fatmir Toçi.
Ky botim, nga Shtëpia Botuese “Toena”, është një vepër studimore e rëndësishme që hedh dritë mbi historinë, kulturën, ritet dhe trashëgiminë shpirtërore të arbëreshëve të Italisë, pasardhësve të shqiptarëve që kanë ruajtur gjuhën dhe identitetin e tyre për më shumë se pesë shekuj larg atdheut.
Në promovim do të marrin pjesë dhe do të diskutojnë: Prof. Xhavit Beqiri, Prof. Bajram Kosumi, Akademik Ali Aliu, si dhe autori i librit, Fatmir Toçi.
Ngjarja do të pasurohet edhe me një program artistik, që do ta shndërrojë mbrëmjen në një udhëtim përmes historisë, muzikës dhe shpirtit arbëresh.
Promovimi organizohet në kuadër të ciklit letrar të njohur “Pena e dritës”, i cili ka për qëllim të afrojë lexuesit me vepra me vlera të spikatura kulturore, historike dhe letrare.
Përndryshe, fillimi i ngjarjes është në orën 19:00 dhe është i hapur për publikun. /A.Z/UBT News/

