UBT News

Fatlume Bunjaku ndër aktorët më premtues evropianë të European Shooting Stars 2026

Aktorja shqiptare Fatlume Bunjaku do të përfaqësojë Shqipërinë në programin prestigjioz European Shooting Stars 2026, një iniciativë e European Film Promotion (EFP) e organizuar si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale). Lajmin e bëri të ditur vetë EFP.

Çdo vit, European Film Promotion zgjedh 10 aktorë e aktore nga 37 vende evropiane, që konsiderohen talentë me potencial ndërkombëtar.

Programi ka për qëllim promovimin e aktorëve të rinj dhe ndihmën për të ndërtuar një karrierë në film dhe televizion jashtë vendit.

Fatlume Bunjaku është nominuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë për rolin e saj në Hana, të regjisorit Ujkan Hysaj.

Ajo do të ketë mundësinë të marrë pjesë në katër ditë intensive me intervista, prezantime, workshop-e dhe takime me emra të mëdhenj të industrisë së filmit ndërkombëtar. Programi do të kulmojë me një paradë në tapetin e kuq të Berlinale Palast dhe ndarjen e çmimeve.

European Shooting Stars ka shërbyer si një trampolinë për karrierën ndërkombëtare për aktorë të njohur si Daniel Craig, Maisie Williams, Carey Mulligan, Riz Ahmed, Alicia Vikander dhe George MacKay.

Për Shqipërinë, Bunjaku është aktorja e tretë që merr pjesë në këtë program, pas Nik Xhelilaj më 2011 dhe Arta Dobroshi në vitin 2013. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version