Nuk kanë të ndalur sukseset për Kosovën në arenë ndërkombëtare të xhudos, ku Laura Fazliu tani ka siguruar finalen e Kampionatit Evropian të xhudos në grupmoshat U23.
Në kuadër të kategorisë deri në 63 kilogramë, Fazliu tani do të luftojë për medaljen e artë në këtë Evropian që po mbahet në Bosnje të Hercegovinës.
Fazliu e mposhti në gjysmëfinale xhudisten hungareze, Brigitta Varga, kurse në finale do ta ketë përballë xhudisten nga Gjermania, Annabelle Winzig.
Në garën deri te finalja e këtij turneu, Fazliu raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin e mposhti xhudisten nga Lituania, Aida Vasiliauskaite.
Në çerekfinale, Fazliu shënoi fitore kundër xhudistes italiane, Flavia Favorini, kurse në gjysmëfinale mposhti hungarezen, Briggita Varga.