UBT News

Familja perandorake ruse organizon dasmën e parë në atdhe që nga koha e Revolucionit Bolshevik

Familja perandorake e Rusisë organizoi këtë të premte dasmën e parë brenda territorit që dikur sundonte, që prej kohës së Revolucionit, më shumë se një shekull më parë.

Duka i Madh George Mikhailovich Romanov u martua me shkrimtaren italiane Victoria Romanovna Bettarini në Katedralen e Shën Isakut në Shën Pjetërburg, në një ceremoni fetare të rafinuar, me qindra të ftuar edhe nga shtete të ndryshme të botës.

Cari i fundit i Rusisë, Nikolla II, bashkëshortja e pesë fëmijtë e tyre u vranë të gjithë nga një skuadër pushkatimi në korrik 1918 në një qilar të një shtëpie në Yekaterinburg, një qytet 1450 kilometra në lindje të Moskës.

“Ky ishte vendi i parë në Rusi ku ne u kthyem”, tha 40-vjeçari George Mikhailovich, për median ruse Fontanka.ru, për zgjedhjen e Shën Pjetërburgut si qytetin ku do të zhvillonte dasmën.

George Mikhailovich ka lindur në Spanjë dhe është djali i Dukeshës së Madhe Maria Vladimirovna – e Rusisë, e vetëshpallur trashëgimtare e fronit të Rusisë. Ndërsa babai i tij është Duka i Madh Mikhail Pavlovich i Rusisë, i cili ka jetuar në Francë dhe Spanjë për pjesën më të madhe të jetës.

Stërgjyshi i tij, Duka i Madh Kirill Vladimirovich, nip i Carit Nikolla II, arriti të arratisej nga Rusia për në Finlandë, në kohën e Revolucionit Bolshevik, në vitin 1917. Më vonë, ai dhe familja e tij u vendosën në Europën Perëndimore.

39-vjeçarja Bettarini u konvertua në besimin e krishterë ortodoks vitin e kaluar dhe mori emrin Victoria Romanovna.

Dinastia Romanov sundoi Rusinë për 300 vite, para se Car Nikolla II të abdikonte në vitin 1917, duke i paraprirë Revolucionit Bolshevik, luftës civile dhe sundimit komunist për 70 vite.

Exit mobile version