UBT News

Familja e vëllezërve Menendez kërkon lirimin e tyre për vrasjen e prindërve

Çështja e vëllezërve Menendez u bë një nga gjyqet kriminale më të bujshme në dekada, kur të dy u arrestuan në vitin 1989 për vdekjen e Kitty dhe Jose Menendez.

Familja, miqtë dhe një avokat i vëllezërve u mblodhën të mërkurën para një gjykate në Los Angeles për të kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se djemtë duruan abuzime të tmerrshme seksuale nga duart e babait të tyre dhe ata nuk janë një kërcënim për shoqërinë.

Por jo çdo i afërm dëshiron që ata të lirohen. Një avokat i xhaxhait të tyre tha se vëllezërit “gjakftohtë” meritojnë të qëndrojnë në burg.

Përgjigja vjen teksa prokurori i qarkut të Los Angeles po shqyrton prova të reja në këtë çështje në lidhje me abuzimin e supozuar dhe nëse kjo mund të garantojë një rigjykim ose të lejojë një dënim më të lehtë. “Nëse ato do të ishin motrat Menendez, ato nuk do të ishin në paraburgim. ”, tha Anna Maria Baralt, mbesa e Jose Menendez, në konferencën.

Zonja Baralt po i referohej mënyrës sesi viktimat meshkuj të sulmeve seksuale trajtoheshin dhe konsideroheshin nga shoqëria dhe sistemi i drejtësisë tre dekada më parë, diçka që edhe prokurorët e kanë pranuar.

Vëllezërit dolën në gjyq në vitin 1993 dhe pranuan se qëlluan prindërit e tyre me një armë gjahu, por ata argumentuan se e bënë këtë për vetëmbrojtje pas shumë vitesh abuzimi emocional, fizik dhe seksual nga babai i tyre.

Prokurorët argumentuan se vëllezërit planifikuan në mënyrë metodike vrasjen e prindërve të tyre – ndërsa çifti shikonin TV – në mënyrë që ata të mund të trashëgonin pasurinë e tyre shumë milionëshe.

Çështja shkoi në një rigjykim pasi juria u bllokua.

Në gjyqin e dytë në 1995, shumica e provave në lidhje me abuzimin e dyshuar seksual nuk u lejuan të paraqiten. Një juri i shpalli të dy vëllezërit fajtorë për vrasje të shkallës së parë dhe ata u dënuan me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.

Motra e Kitty Menendez, Joan Anderson VanderMolen, në moshën 92-vjeçare, ajo tha se veprimet e nipërve të saj ishin “tragjike”.

“Ata ishin thjesht fëmijë” të cilët u “brutalizuan në mënyrat më të tmerrshme”.

Kur ata dolën në gjyq, argumentoi ajo, “e gjithë bota nuk ishte gati të besonte se djemtë mund të përdhunoheshin, ose se të rinjtë mund të ishin viktima të dhunës seksuale“.

Por sot, “ne e dimë më mirë” dhe “një juri sot nuk do të jepte kurrë një dënim kaq të ashpër“.

Por një avokat i vëllait të Kitty Menendez, Milton Andersen, tha: “Veprimet gjakftohtë të vëllezërve Menendez shkatërruan familjen e tyre dhe lanë një gjurmë pikëllimi që ka vazhduar për dekada.

Jose u qëllua gjashtë herë, dhe Kitty u qëllua dhjetë herë, duke përfshirë një të shtënë në fytyrën e saj.”

Në fillim të këtij muaji, Prokurori i Qarkut të Los Angeles, George Gascón mbajti një konferencë shtypi duke njoftuar se zyra e tij po rishqyrtonte çështjen dhe mundësinë e njërit prej dy skenarëve: dënimin e vëllezërve ose rigjykimin e tyre. Gjetjet dhe vendimi i zyrës së tij do të publikohen në një seancë dëgjimore në fund të nëntorit

Zyra e z. Gascón lëshoi ​​një deklaratë të mërkurën në mbrëmje, duke thënë se ndërsa prokurorët nuk mund të flasin publikisht për rastin, “ju lutemi ta dini se zyra jonë është e përkushtuar ndaj një procesi të plotë dhe të drejtë dhe po eksploron çdo rrugë në dispozicion të zyrës sonë për të siguruar që drejtësia të shërbehet“.

 

Exit mobile version