Fakulteti i Psikologjisë në UBT ka pranuar një donacion prej 200 ekzemplarësh të librit “Beni, Lilly dhe Omid”, të shkruar nga autorja Marianne Herzog. Ky libër, me vlera të veçanta edukative dhe psikologjike, do të shërbejë si një literaturë e çmuar për pasurimin profesional dhe zhvillimin e mendimit kritik te studentët.
Librat u pranuan zyrtarisht nga Prof. Emrush Thaçi, i cili dha edhe një kontribut profesional në redaktimin e botimit, dhe Prof. Fatbardha Osmani-Qehaja. Me këtë rast, stafi akademik shprehu mirënjohje të thellë ndaj autores Herzog për humanizmin dhe mbështetjen e treguar ndaj psikologëve të ardhshëm.
Për realizimin e këtij donacioni, UBT falënderon veçanërisht Dr. Xhezide Lumi për ndërmjetësimin e saj, si dhe znj. Drita Ibrahimi, e cila përfaqësoi autoren në organizimin dhe dorëzimin e librave.
Një falënderim i veçantë i dedikohet edhe kompanisë “Ballkan Petrol” Sh.P.K., e cila tregoi përgjegjësi të lartë sociale duke mundësuar transportin e librave nga Zvicra në Kosovë.

