UBT News

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT merr pjesë në takimin e KUSA-s në Ambasadën e SHBA-së

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të organizuar nga KUSA (Kosovo United States Alumni) dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, i cili u mbajt më 5 nëntor 2026.

Në këtë organizim me rëndësi të veçantë për zhvillimin e kapaciteteve në sektorin e energjisë, UBT u përfaqësua nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë, Armend Ymeri pranë përfaqësuesve të institucioneve të tjera akademike e energjetike në vend si FIEK (UP), RIT Kosovo, KEDS Academy dhe KOSTT.

Delegacioni i UBT-së dhe pjesëmarrësit e tjerë u mirëpritën nga ushtruesja e detyrës së Zëvendësshefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-ve, Wylita Bell. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Manal Farah, mbajti një sesion informues mbi Kompaktin e MCC-së dhe Qendrën për Aftësi dhe Inovacion në Energji.

Më tej, studentët dhe dekani i UBT-së morën pjesë në një diskutim interaktiv lidhur me mundësitë e zhvillimit të karrierës, ngritjen e shkathtësive profesionale dhe praktikat e punës në sektorin e energjisë në Kosovë.

Aktiviteti u përmbyll me një vizitë të udhëhequr në hapësirat e Ambasadës së SHBA-ve, ku pjesëmarrësit e UBT-së patën mundësinë të shihnin nga afër sistemet e avancuara të efiçiencës së energjisë dhe teknologjitë e ftohjes që përdoren në këtë objekt modern.

 

Exit mobile version