UBT News

Faktorët e sigurisë në komunikacionin rrugor

Nga prof.dr Nol Deda – Komunikacioni është një fenomen i komplikuar në të cilin krijohen shumë situata të konfliktit. Për t`u rritur siguria në komunikacion, është e nevojshme të merren një numër masash, qëllimi i të cilave është të largohet apo minimizohet rrezikun në rrugë. Rreziku nga aksidentet e komunikacionit, të cilat rrjedhin nga lëvizja e automjeteve dhe këmbësorëve, mund të tregohet në gjendjen e sistemit të faktorëve të cilët paraqiten në moment. Duke analizuar faktorët e mundshëm, komunikacioni rrugor thjesht mund të shikohet përmes tre faktorëve kryesorë: Njeri, Automjet dhe Rrugë.

Në strukturën e komunikacionit rrugore mund të vërehet sistemi mekanik, i cili përbëhet prej lidhjes “Automjet-Rrugë”, dhe sistemit biomekanik, i cili përbëhet prej lidhjes “Njeri-Automjet” dhe “Njeri-Rrugë”.

Ndikimi i këtyre tre faktorëve në sigurinë e komunikacionit rrugor mund të paraqitet përmes diagramit të VENOVIT fig. 1.

Në fig.1 shihet lidhshmëria ndërmjet faktorëve Njeri (NJ)-Automjet(A)-Rrugë (RR). Rrethina, gjithashtu, është faktor i sigurisë së komunikacionit. Çdo gjë që gjendet rreth nesh ndikon në sjelljet tona në komunikacion. Për sigurinë e komunikacionit domethënie të veçantë ka hapësira ku përputhen që të tre faktorët. Disa autorë, në vend të faktorit Rrugë, e marrin faktorin Rrethinë. Nëse shqyrtohet sistemi kibernetik, i cili përbëhet prej tre faktorëve “Automjet”, “Rrugë” dhe “Rrethin”, vërejmë se funksionin e drejtimit e ka ngasësi, objekt i ngasjes është automjeti, derisa rrethina është burim i informatave në bazë të të cilave definohet gjendja e sistemit. Në fig.2 është paraqitur lidhja elementare ndërmjet elementeve të sistemit Njeri – Automjet – Rrethinë.

Nga fig.2 shihet qartë se ekziston ndërrimi i informacioneve dyfish në relacionin rrethinë-ngasës dhe ngasës-automjet, si dhe ndërrimi i informacioneve njëfish, rrethinë-ngasës. Në faktorin rrethinë, si element sigurie dhe bartës i informacioneve është rruga (elementet teknike të rrugës të papërputhshme, gjendja e rrugës e dobët, kushtet atmosferike të dobëta, ndryshime të ndryshme gjatë qarkullimit të automjeteve, etj.). Në bazë të informacioneve të marra në rrugë dhe përcaktimeve subjektive të rrethinës, ngasësi drejton automjetin motorik. 

Sipas disa autorëve, faktori “rrethinë” ka një kuptim shumë më të gjerë dhe  jo të precizuar, sepse krijon shumë paqartësi (p.sh. si hapësirë mund të merret edhe vendi ku gjendet ngasësi, temperatura dhe atmosfera ku ngasësi qëndron, etj.), ndërsa si faktor i tretë merret “Rruga”.

Faktori “Njeri”, “Automjet” dhe “Rrugë”, nuk i përfshinë të gjitha elementet të cilët mund të ndikojnë në siguri, si p.sh. rregullat e qarkullimit në komunikacion rrugor, drejtimi dhe kontrolli në komunikacion, etj. Pra, është e nevojshme që të ndahet edhe faktori i katërt me emrin “Komunikacioni në rrugë”.

Faktorët e sigurisë “Njeriu”, “Rrugë”, “Automjet” dhe “komunikacioni në rrugë” gjithnjë paraqiten, gjegjësisht, janë prezentë në rrugë gjatë lëvizjes së automjeteve në komunikacion. Këta faktorë i nënshtrohen rregullave të caktuara, por nuk i përfshijnë elementet tjera, të cilat paraqiten papritmas (befasishëm), të pasistemuar, por të cilët ndikojnë gjendjen e sigurisë.

Këtu kryesisht mendohet në kushtet atmosferike ose elementet tjera, si p.sh. Gurët në rrugë, vaji dhe balta në rrugë, etj. Për këtë paraqitet nevoja që të caktohet edhe një faktor që do t`i përfshinte të gjitha elementet e cekura. Ky faktor mund të quhet “Faktori incident”, që të përkufizohet dhe sistemohet në sistemin e faktorëve të sigurisë me mënyrën e paraqitjes se tij në komunikacion (befasishëm). Prandaj, mënyra e paraqitjes së rrezikut (aksidenteve) në komunikacion mund të jetë i shtyrë, gjegjësisht, në funksion nga pesë faktorë të cilët përbëjnë sistemin.

 E këta janë:

  1. Faktori  “Njeri”
  2. Faktori  “Automjet”
  3. Faktori  “Rrugë”
  4. Faktori  “Komunikacioni në rrugë”
  5. Faktori  “Incident”

Sot në botë ekzistojnë mendime të ndryshme lidhur me përqindjen e ndikimit të faktorëve të sigurisë në aksidente të komunikacionit rrugor.

Në bazë të analizës së statistikave të të dhënave të aksidenteve të komunikacionit rrugor të vendeve të ndryshme, mund të vihet në përfundim se tre faktorët kryesorë të aksidenteve të komunikacionit rrugor: “Njeriu” (rreth 88%), “Automjet” (rreth 3-4%) dhe “Rrugë” (rreth 7-9%).

Sipas të dhënave të disa autorëve, faktori “rrugë“, si shkaktar i aksidenteve të komunikacionit rrugor, paraqitet me një përqindje të gjerë prej 0,5-35 %.

Në shumë shtete të Evropës merret se faktori “rrugë” është shkaktar i aksidenteve të komunikacionit rrugorë prej 20-30% të rasteve. Duke pasur parasysh se rrjeti rrugor i Evropës është shumë më kualitativ se i yni, në bazë të kritereve të njëjta, duhet të parashikojmë se faktori “Rrugë” ndikon në aksidente të komunikacionit me një përqindje më të madhe. Diferenca në përqindje të ndikimit të faktorit rrugë në aksidente të komunikacionit është mënyra e trajtimit të ekspertëve gjatë zgjidhjeve të aksidenteve të komunikacionit rrugor.

Shumica e autorëve janë të mendimit se faktori:

  1. “Njeri” është 85% shkaktar i të gjitha aksidenteve të komunikacionit rrugor;
  2. Faktori rrugë është shkaktar i aksidenteve të komunikacionit rrugor me 8-10%;
  3. Faktori “Automjet” është shkaktar i aksidenteve me 3-5% te rasteve;
  4. Faktori “Komunikacioni në rrugë” është shkaktar i aksidenteve me 1-2% të rasteve;
  5. Faktori “Incident” është shkaktar i aksidenteve me 1-2% të rasteve.

Exit mobile version