Në hotelin ku po qëndronte në Budapest, disa orë pas përfundimit të Çmimit të Madh të Hungarisë në F1, Carlos Sainz i Ferrarit “u ngjit” në podium.
Piloti spanjoll u rendit i treti pasi FIA vendosi që të skualifikojë Sebastian Vettel, i cili kishte bërë një garë të shkëlqyer, duke e përfunduar në vend të dytë. Arsyeja e skualifikimit të gjermanit që garon për Aston Martin ishte mungesa e një litri karburant në makinë, që duhet pas garës në mënyrë që makinës t’i bëhen testimet e nevojshme.
Për Sainz, ky është podiumi i dytë në karrierë me Ferrarin, pas atij të fituar në Monako, ndërkohë që nis pushimet e verës duke qenë 3 pikë në avantazh ndaj shokut të tij të ekipit, Charles Leclerc.